Ashtu siç ishte njoftuar disa ditë më parë, qeveria kineze ka vendosur t’i vërë fre shpenzimeve të çmendura të klubeve të futbollit për të blerë futbollistë klasi nga kampionatet evropiane.

Edhe pse nuk është ende zyrtare, Federata Kineze e Futbollit ka aprovuar disa nga rregullat e reja që pritet të hyjnë së shpejti në fuqi.

Numri i lojtarëve të huaj që mund të bëjnë pjesë në 18-shen që grumbullohet do të vazhdojë të jetë 5, por në lojë nuk mund të marrin pjesë më shumë se 3 futbollistë në të njëjtën kohë.

Është vendosur gjithashtu që në ndër lojtarët e grumbulluar duhet të jenë detyrimisht dy nën 23-vjeç dhe një prej tyre duhet ta nisë lojën si titullar.

Në mbështetje të lojtarëve kinezë, Federata vendase ka hequr edhe kuotën aziatike, që i lejonte që ekipi të kishte 4+1 lojtarë jo-kinezë në ekipin titullar, me kusht që këta ta kishin prejardhjen nga një prej vendeve aziatike./ TV KLAN