Kina ka paralajmëruar SHBA-në se do të qëndrojë neutrale nëse Korea e Veriut sulmon e para bazën ushtarake amerikane. Por, nëse SHBA shpall e para luftë, atëherë Kina do të bashkohet me Korenë e Veriut dhe do të synojë të parandalojë çdo sulm. Kështu thuhet në një editorial të “Global Times”, gazetë e drejtuar nga qeveria e Kinës.

Kina po përpiqet të ruajë pak a shumë neutralitetin në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Koresë Veriore janë në pikën më kritike. Frika e një sulmi bërthamor nga të dyja palët ka bërë që Kina të saktësojë qëndrimin e saj.

“Kina kundërshton luftën në Gadishullin Korean. Ajo nuk inkurajon asnjë palë që të nxisë konflikt ushtarak. Kina dëshiron të bëjë të qartë gjithashtu që nëse Korea e Veriut nis e para raketa që kërcënojnë territorin e SHBA, Kina do të qëndrojë neutrale. Nëse SHBA dhe Korea e Jugut kryejnë sulme dhe përpiqen të përmbysin regjimin e Koresë së Veriut dhe të ndryshojnë modelin politik të Gadishullit Korean, Kina do t’i ndalojë ta bëjnë këtë gjë”

, thuhet në artikullin e “Global Times” të kontrolluar nga qeveria.

Për disa vite me radhë, Kina është aleati më i rëndëishëm i Koresë së Veriut dhe partneri tregtar. Më herët Presidenti Trump deklaroi se Korea e Veriut do të përballet me zjarr dhe tërbim. Ndërsa shteti komunist reagoi duke thënë se po harton një plan që të godasë me raketa ishullin Guam, territor i SHBA ku ndodhet një bazë ushtarake.

/tvklan.al