Në Vatikan vijojnë të shkojnë një numër i lartë denoncimesh rreth abuzimeve seksuale te klerikëve ndaj të miturve, edhe gjatë papatit të Papa Françeskut.

Akuza e rëndë vjen nga shkrimtari dhe gazetari italian, Emiliano Fittipaldi, i cili në librin e tij të ri shkruan se shumë pak ka ndryshuar në mënyrën se si Kisha përballet me skandalet seksuale, edhe pse Papa Françesku ka ngritur një komision special për mbrojtjen e të miturve dhe ka deklaruar tolerancë zero për abuzuesit.

Në krahasim me paraardhësin e tij, Papa Benediktin e XVI-të, Ati i Shenjtë është vlerësuar nga opinioni publik për politikat e tij të ashpra rreth skandaleve seksuale, duke larguar edhe përshkopët që tregohen mospërfillës ndaj abuzimeve.

Por nga ana tjetër, shpjegon shkrimtari italian, zyrtarë të lartë të Kishës, disa të afërt me Papën, kanë vijuar t’i mbulojnë e t’i lënë në hije denoncimet për dhunë seksuale ndaj fëmijëve.

Emiliano Fittipaldi është gjykuar vitin e kaluar nga drejtësia në Vatikan, për çështjen “Vatileaks”, i akuzuar për shkrimin e një libri që publikonte informacione të brendshme të Vatikanit. Ai më pas u shpall i pafajshëm./ TV KLAN