Kisha e Detroitit në Amerikë mori në mbrojtje një familje shqiptare. Autoritetet kanë vendosur dëbimin e tyre drejt Shqipërisë, por drejtuesit e kishës kanë thënë se nuk do ta lejojnë policinë të hyjë me forcë për të dëbuar familjen shqiptare.
25 Janari do të jetë dita vendimtare për fatin e Ded Rranxburgaj, azilkërkuesit 48-vjeçar, i cili qëndroi ilegalisht për 17 vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krah të gruas së tij të paralizuar. E vetmja shpresë e mbetur për të është Kisha e Detroitit, e cila prej ditës së djeshme ka strehuar famijen shqiptare, në mënyrë që të pengojnë organet e emigracionit amerikan për të kthyer në vendlindje azilkërkuesin.
Ded Rranxburgaj dhe gruaja e tij, Flora kanë dy djem, të moshave 24 dhe 15 vjeç. Rranxburgaj ka aplikuar për azil politik, por kërkesa nuk është pranuar nga autoritetet amerikane.
“
Të lë gruan time shumë të sëmurë dhe mos ta shikoj më kurrë atë, është tepër e rëndë për mua dhe për familjen time.
Më është lejuar për 17 të qëndroj në SHBA nën statusin humanitar pasi gruaja ime Flora, vuan nga skleroza e shumëfishtë dhe është aq e dobët sa duhet të përdorë karrocën me rrota”,
u shpreh emigranti.
Ndryshimet në ligjet e emigracionit, pas ardhjes në pushtet të administratës Trump, kanë sjellë shqetësim në radhët e emigrantëve, teksa shumë prej tyre po iu kërkohet të largohen. Kjo është hera e parë që një kishë në Detroit merr në mbrojtje një emigrant që Emigracioni kërkon ta deportojë, që nga koha kur Presidenti Trump mori detyrën.
“Hapja e dyerve të kishave për emigrantët është në përputhje me vlerat amerikane”,
shprehen klerikët, që u bëjnë thirrje besimtarëve të krishterë, muslimanë, hebrej e hindu që të ngrihen së bashku për të mbrojtur humanizmin. Nëse agjentët do të vijnë për të arrestuar Ded Rranxburgajn, anëtarët e kishës planifikojnë të “marrin telefonat dhe ta transmetojnë ngjarjen direkt në Facebook.
Kisha e deklaron veten si vend i shenjtë dhe i paprekshëm, ndaj ka strehuar edhe një familje afrikane vitin e kaluar, e cila kërkonte të qëndronte në vendin e shenjtë. 44 – vjeçarja, Flora Rranxburgaj nuk do të dëbohet nga SHBA për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Klan Plus