Atentatet me eksploziv ndaj një gruaje në Tiranë mund të jenë mesazhe që i drejtohen djalit të saj 26-vjeçar, që ndodhet i arrestuar në Londër për trafik droge dhe pastrim parash. Hetuesit në Tiranë do të kërkojnë zyrtarisht ndihmën e kolegëve britanikë për lidhjen e ngjarjeve në kryeqytetin shqiptar me luftën mes dy grupeve kriminale, në kryeqytetin britanik.

Bruneta Aliaj, 55 vjeç, është vënë sërish në shënjestër të sulmeve me eksploziv.

Paraditen e së mërkurës, në hyrje të dyqanit të saj pranë Tregut Elektrik në kryeqytet është gjendur një kallëp tritoli me fitil përcjellës e bërë gati për shpërthim. Ky është rasti i dytë që 55-vjeçarja bëhet objekt sulmi me eksploziv.

Hera e parë ndodhi mbrëmjen e 1 Majit kur automjeti i saj tip “Smart” shpërtheu pranë Prokurorisë së Përgjithshme ku dhe ka banesën.

Megjithëse Bruneta Aliaj mohon se ka konflikte dhe kërcënime, e vërteta sipas hetuesve qëndron ndryshe. Një burim i sigurt i tha “Klan Plus” se në të dy rastet tritoli është një mesazh që i dërgohet djalit të 55-vjeçares.

M.M.  prej vitesh emigrant në Britaninë e Madhe është një person i njohur për autoritet policore të Londrës. Sipas të dhënave nga Agjencitë ligjzbatuese në Britaninë e Madhe, 27-vjeçari është i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogave të forta.

6 Muaj para atentatit të parë që shpërtheu në makinën e nënës së tij, M.M. u arrestua në Londër në një operacion ndërkombëtar me përfshirjen edhe të FBI-së, për pastrim parash sëbashku me një shtetas spanjoll dhe një çift kinez me shtetësi gjermane dhe franceze. 4 personave iu kapën rreth 800 mijë paund në dhomën e një hoteli.

40 Ditë pas atentatit, djali i Bruneta Aliajt u dënua me 20 muaj burgim për veprën penale të pastrimit të parave dhe përfshirja në grup kriminal.

Hetuesit  do të kërkojnë ndihmën e autoriteteve homologe të Londrës për zbardhjen e detajeve të tjera që lidhin veprimtarinë kriminale të 27-vjeçarit, kërcënimet ndaj tij dhe lidhjet me dy rastet e vendosjes së tritolit ndaj nënës së tij  në Tiranë.

Burimi: Klan Plus

Gazetar: Spartak Koka