Këshilli i Lartë i Drejtësisë u është përgjigjur akuzave të Kryetarit të Komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj se, procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e kandidateve për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi janë në kundërshtim me Kushtetutën, ashtu si shorti i hedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Në një letër që mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm të KLD –së, Pjerin Prendi, nënvizohet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zbatuar me rigorozitet Kushtetutën dhe ligjin për organet e qeverisjes ne sistemin e drejtësie dhe se procedura ka qenë tërësisht transparente.

Në të, ndryshe nga Xhafaj, theksohet se Kushtetuta nuk ka përcaktuar ndonjë Këshilli të Përkoheshëm Emërimesh.

Kreu i Komisionit të Ligjeve thotë në letrën e tij se si kritere për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duhet të merrej vetëm ai i masës disiplinore qe përcaktohet ne dispozitën kalimtare të Kushtetutës dhe jo kriteret e parashikuara ne ligjin për ngritjen e organeve të qeverisjes së drejtësisë.

Por KLD përmend faktin se Xhafaj nuk pati ndonjë reagim apo pretendim kur Presidenti i Republikës, në mungesë të ligjit nuk e ushtroi të drejtën e tij Kushtetuese për të hedhur shortin 5 ditë nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, me argumentin se kriteret e përzgjedhjes i përcaktonte ligji që duhej miratuar.

KLD e cilëson si mungesë të respektit ndaj ndarjes së pushteteve qëndrimin e zotit Xhafaj, veprim që sipas tij pengon zbatimin e reformës në drejtësi, duke dhënë dhe shkakun që mund të ketë frymëzuar këtë qëndrim. Edhe prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka reaguar po përmes një letre për qëndrimin e Xhafës.

Edhe pse e quan të ezauruar këtë debat, Llalla shkruan se nga ana e institucionit që ai drejton është zbatuar rigorozisht kuadri Kushtetues dhe ai ligjor për përzgjedhjen e kandidateve për anëtarë të KED, gjithsesi e mbyll përgjigjen e tij çdo interpretim apo vlerësim mbi kushtetueshmërinë e procedurave të përzgjedhjes e këtyre kandidateve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, mund të jetë objekt shqyrtimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese./ TV KLAN