KLDInspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të nisë verifikimin e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila shpalli të pafajëshëm Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj.

Vendimi i KLD-së vjen pas ankesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e cila pretendon se gjyqtarët kanë anashkaluar provat dhe kanë shkelur procedurat në vendimin e dhënë.

Prokuroria e Përgjithshme e bëri ankesën më 14 prill, 11 ditë pas lirimit të Frrokut.

Në përgjigjen e kthyer nga KLD sqarohet se nga analiza e pretendimeve të parashtruara është konkluduar se, ka vend për verifikimin e ankesës për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda në rastin e Arben Frrokut.

Sqarohet se verifikimi do të ketë në fokus vetëm anën proceduriale të vendimit, pasi për bindjen e trupës gjyqsore inspektoriati i KLD-së nuk mund të marrë masa apo të nisë verifikim.

Nisma vjen dy javë pas vendimit të gjykatës e cila rrëzoi të gjitha  provat e prokurorisë, duke shpallur të pafajshëm Frrokun, e arrestuar me 25 shkurt të vitit 2013 në Selanik, pak orë pasi në Tiranë u vra Kryekomisar Dritan Lamaj.

Akuza e apeloi menjëherë vendimin dhe ka kerkuar sërish dënimin me burg përjetë edhe në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Sipas akuzës dëshmia e Arben Ndokës, dëshmitarit të mbrojtur në këtë proces është një provë e fortë që fakton se Arben Frroku është autor i vrasjes së Kryekomiar Lamajt.

Tv Klan