Një ditë pasi socialistët u shprehën se do t’i  kërkojnë Kuvendit shkarkimin e Kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Klement  Zguri thotë se nuk ka ndërmend të merret me deklarata politike.

Mazhoranca e akuzon se ka fshehur me paramendim pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për kryebashkiakun demokrat te Mallakastrës Agron Kapllanaj, i dënuar me dy vite burg e që për shumicën preket nga ligji i dekriminalizimit. Por Zguri sqaron se vendimi i marrë nga KQZ-ja për kryebashkiakun e Mallakastrës nuk është ankimuar nga asnjë subjekt politik.

“Në dijeninë time edhe tani që po flasim asnjë subjekt zgjedhore nuk e ka ankimuar vendimin e KQZ. Vendimet e KQZ kanë një drejtim të caktuar se ku ankimohen, është Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata Administrative. Deri tani nuk ka asnjë ankimim të tillë. Fakti që nuk ankimohet do të thotë se në brendësi ai vendim pranohet dhe për sa kohë pranohet, nuk ka pse të diskutohet. Me deklarata politike nuk merrem. Kam thënë ka procesverbale, ka vërtetime ka gjithcka që verifikon pretendimet në fjalë”.

Socialistët kanë ngritur një grup pune për hartimin e një dokumenti të plotë për inicimin e procedurave për shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri, i cili u ngjit në krye të këtij institucioni pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit.

Tv Klan