Ky është momenti i mbërritjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës i 25 – vjeçarit bullgar, Viktor Eftimov.

Pak momente më parë ishte kapur teksa po vidhte një bankomat pranë 21 Dhjetorit. 

Nëpërmjet kësaj pajisje të quajtur “skimmer”, ai arrinte të klononte karta debiti dhe krediti.

Kjo pajisje arrin të marrë të dhënat e kartave të fundit që janë përdorur në bankomat.

Një tjetër person i dyshuar si bashkëpunëtor i tij, u shpall në kërkim.

Viktor Eftimov, 25 vjeç nga Varna e Bullgarisë u ndalua në momentin që po hiqte nga bankomati pajisjen e klonimit të kartave nëpërmjet të cilave arrinte të merrte informacionin e klientëve.

Në momentin kapjes, ai mbante një kapele në kokë, me të cilën mbulonte fytyrën për të mos u identifikuar nga kamerat e bankomateve. 

I arrestuari kishte më shumë se një javë që ndiqej nga efektivët e Njësisë së Vëzhgimit, të cilët arritën ta kapnin në flagrancë. Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka kryer një sërë vjedhjesh në Tiranë. Po ashtu ai dyshohet se kishte kryer vjedhje edhe në Greqi, Bullgari e Maqedoni.

Në makinën e tij “Volkswagen”, policia i bllokoi një sasi parash e sende të tjera që përdorte për të vjedhur bankomatet. Eftimov pranoi përpara hetuesve se kishte si bashkëpunëtor një bashkëmoshatarin e tij bullgar, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Tv Klan