Shpenzimi i 2.5 milionë eurove në projektin pilot për votimin elektronik në zgjedhjet e vitit 2013, në qarqet e Tiranës dhe Fierit, është bërë në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Kështu thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka çuar për ndjekje penale Kryetaren e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi.

Nga auditi i kryer është konstatuar se projekti ka dështuar në të dy rastet, por pavarësisht kësaj, KQZ i ka paguar kompanisë spanjolle INDRA shumën e parave.

Në raportin e auditimit, që tashmë i është dorëzuar Prokurorisë në formën e kallëzimit penal, KLSH thotë se Lefterie Luzi nuk kishte marrë parasysh rekomandimet e Avokaturës së Shtetit për kontratën.

Ky institucion i kishte sugjeruar KQZ-së ndryshimin e 6 neneve të projekt – kontratës dhe shfuqizimin e 4 të tjerëve.

Në vitin 2013, Partia Socialiste e paditi Luzin në Prokurori pikërisht për këtë projekt. Por hetimet u pushuan, pasi Prokuroria nuk gjeti elementë të veprës penale. Luzi u emërua si Kryetare e KQZ -së në Tetor të vitit 2012 dhe është në fund të mandatit të saj të parë.

Tv Klan