Një tjetër kallëzim penal shkon në Prokurori për Autoritetin Rrugor Shqiptar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Pas kallëzimit të bërë për kreun e këtij Institucioni, Dashamir Xhika, për shkak se i shkaktoi shtetit një dem prej 4,5 milionë eurosh, si pasoje e shkeljeve me tenderët në disa akse, një tjetër drejtor i ARRSH-së është kallëzuar të martën për një tjetër aks të rëndësishëm.

Behet fjale për Drejtorin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit “Ndërtimi i Rrugës Tiranë-Elbasan”, në ARRSH, Aksel Qorduka, i cili sipas KLSH-së nga auditimet rezulton se ka keq menaxhuar fonde të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe ka kryer pagesa ndaj kontraktorëve privatë në kundërshtim me kontratën e punimeve, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerë mbi 2,4 milionë dollarë.

Po ashtu ka bërë shpenzime jo në përputhje me parimet e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit me vlerë mbi 4 milionë dollarë.

Pas auditimeve që janë kryer, auditime në periudhën nga qershori 2014 deri në qershor 2016, KLSH ka konstatuar parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve etj .

Për segmente që nuk kanë përfunduar punimet ende, KLSH ka konstatuar pagesa të kryera dhe likuidime, të cilat janë përfituar padrejtësisht nga kontraktori.

Sipas Kontrollit të Larte të Shtetit nga auditimi i punimeve që po realizohen në Usekun e Mulletit, kanë rezultuar difektoze disa nga punimet e realizuara nga kontraktori, duke rrezikuar shembjen e skarpateve, në momentin e vënies në funksionim të rrugës.

KLSH thotë se për të gjitha shkeljet e mësipërme, mban përgjegjësi kryesore Aksel Qorduka, me detyrë Drejtor i Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Sipas KLSH drejtori pranë ARRSH ka dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të Shtetit dhe favorizuar subjektin privat./ TV KLAN