Zhurmat e klubeve të natës në bregdet vazhdojnë të jenë një shqetësim për ata që kanë zgjedhur të pushojnë në zonën e jugut. Ne kundërshtim me ligjin, lokalet e natës e mbajnë volumin e muzikës të lartë, jashtë çdo norme, ndërsa institucionet nuk ndërhyjnë.

Klubet e natës vazhdojnë të jenë shqetësim për pushuesit, te cilët kanë zgjedhur të relaksohen në bregdetin shqiptar.

Këto pamje vijnë nga plazhi i Drimadhes, një prej me te frekuentuarve në vend. Regjistrimet janë bere rreth orës 1 pas mesnate.

Pasi u njoh me filmimet, Julian Beqiri, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, institucioni që lëshon licensat për nivelin e zhurmave nëpër lokale, pranon se subjekti  është totalisht në shkelje të ligjit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri tha se “Nuk duhet të ketë muzikë pas orës 12 të natës.”

Për këtë shqetësim të pushuesve, sipas Beqirit, duhet të marrë masa Task Forca përkatëse, që përbehet nga Inspektorati i Mjedisit, ISHP dhe Policia.

Sipas ligjit për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis për shkeljet e kryera nga klubet që shkaktojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar variojnë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

Krahas dënimit me gjobë, në varësi të dëmit që shkakton zhurma, vendoset edhe mbyllja e përkohshme ose përhershme e burimit të zhurmës. Por deri tani nga Task Forca nuk ka patur ndonjë efekt në lokale të shumta që zhurmojnë gjithë natës në bregdetin shqiptar. /Tv Klan