Pasi takoi krerët e të gjitha partive politike në vend, raportuesit për Shqipërinë në Komisionin Europian, Knut Fleckenstein i kërkon opozitës të ndërpresë bojkotin e parlamentit.

Ai tha se opozita mund të protestoje për të gjitha çështjet që i cilëson të drejta, por duhet të kthehet në parlament për t’u bërë pjesë e komisioneve ad –hoc, që do të zgjedhin anëtaret e komisioneve të Vettingu-t dhe për të mos e penguar këtë proces, pasi do të bllokonte automatikisht hapjen e negociatave me BE.

“Nuk do të ndërhyj dhe as nuk do të bëj komente për protestën, pasi është një çështje e brendshme. Kjo është e drejta e qytetarëve, e opozitës dhe në veçanti që opozita të tregojë se çfarë kërkon. U kërkoj kolegëve dhe miqve të mi në PD të vazhdojnë atë që mendojnë është e nevojshme, por u kërkoj që të kthehen në punë”.

Eurodeputeti Gjerman, thotë se nuk ka marrë asnjë garanci nga Basha se opozita do të jetë pjesë e procesit të ngritjes se komisioneve të vetting-ut dhe në këtë kontekst thekson se kushti i opozitës për qeveri teknike nuk i duket i realizueshëm brenda javës së ardhshme kur duhet të formohen komisionet.

Qe në fillim te konferencës raportuesi Flenkenstein e beri të qartë se do ishte i drejtpërdrejtë në komunikimin me mediat, dhe në këtë frymë komentoi edhe një deklaratë publike të ish-kryeministrit Berisha në lidhje me organizatën Soros.

“Kam shumë respekt për Berishën, ndoshta më shumë sesa mendoni ju dhe këtë e kam me të vërtetë. Por ama do të doja që t’i kërkoja të mos fliste më për këto përralla sorosiane, e njëjta histori që kam dëgjuar edhe në Maqedoni. Zoti Berisha nuk është i dobët.”/

TV KLAN