Pas shumë viteve të funksionimit të tyre, Aleanca për Shqiptarët (dikur LR-PDSH) dhe Lëvizja BESA u bënë bashkë në raundin e dytë të zgjedhjeve të fundit lokale.

 Këto dy parti theksuan se koalicionimi i tyre është i natyrshëm pasi që buron nga kërkesat reale të qytetarëve.

 Por pas zgjedhjeve të fundit lokale, Aleanca për Shqiptarët theksoi se koalicioni ishte pjesë e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale, ndërsa ajo vijon të jetë një nga shtyllat e reformave në Qeverinë e re.

 “Bashkëpunimi i ASH dhe BESËS në raundin e dytë ishte pragmatik dhe buronte nga realiteti. Momentalisth nuk ka ndonjë çështje bashkëveprimi,  por të është vendosur një bazament i fortë për bashkëpunim dhe bashkërendim në të ardhmen.“, theksoi për Alsat-M,  nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri.

 Edhe nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi nuk përjashton bashkëveprimin.

 “Ne kemi pasur një marrëveshje në raundin e dytë zgjedhor dhe kjo ka përfunduar për faktin se ASH se janë pjesë e qeverisë dhe ne jemi pjesë e opozitës, nuk mund të presim një bashkërendim të madh të aktiviteteve. Por s’përjashtohet intensifikimi i aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.”, theksoi Ibrahimi.

 ASH dhe Lëvizja BESA në disa raste janë pagëzuar edhe si koalicioni Aleanca me BESË por nuk dihet se tashmë a do të përforcohet ai në të ardhmen. Nga ana tjetër, Lëvizja BESA ka shprehur gatishmëri për të përkrahur me votat në Kuvend projektet që kanë të bëjnë me çështjen e integrimeve euroatlantike, çështjeve shqiptare dhe reformave. (INA)