Zgjedhje të reja apo koalicion të madh qeverisës? Dilemës së 4 muajve të fundit në Gjermani i japin sot zgjidhje socialdemokratët. 600 delegatë të partisë së dytë më të madhe në vend marrin pjesë në votimin, për miratimin ose jo të marrëveshjes së arritur më 12 janar me kristiandemokratët e Merkelit dhe partnerët e tyre tradicionalë socialkristianë bavarezë.

Duke folur përpara konventës në Bon, Shultz mbrojti marrëveshjen me 28 faqe, duke thënë se socialdemokratët imponuan përfshirjen të pjesës më të madhe të platformës së paraqitur gjatë zgjedhjeve të shtatorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, brenda rradhëve të partisë së qendrës së majtë, nuk janë të pakët kundërshtarët e idesë së koalicionit të majtë. Kritikët thanë se Shultz dështoi në imponimin e planit për rritjen e taksave për të personat me të ardhura të larta. Po ashtu, ata janë kundër kufizimit për pranimin e deri në 200 mijë refugjatëve dhe emigrantëve çdo vit, një propozim i socialkristianëve bavarezë.

Megjithatë, sipas anketimeve 61% e elektoratit socialdemokrat janë pro koalicionit të madh qeverisës në Gjermani. Nëse delegatët i thonë “Po” marrëveshjes, pritet të nisin shumë shpejt negociatat formale për krijimin e qeverisë së re, që parashikohet të nisë nga puna në mars.

Tv Klan