Një ditë pasi opozita i dërgoi përfaqësuese së lartë të Bashkimit Europian, Federika Mogherini një notë proteste për një diplomat të huaj që u ka kërkuar disa partive të vogla të futen në zgjedhje dhe të përfitojnë nga bojkoti i Partisë Demokratike, ka reaguar zëdhënësja e Komisionit Europian. Duke komentuar deklaratat e kryetarit të PBDNJ –së Vangjel Dule, i cili ishte i pari që bëri publik ofertën që sipas tij u është bërë partive të vogla të koalicionit opozita, zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç i ka cilësuar ato si sulme të personalizuara ndaj zyrtarëve europianë.

Maja KOCIJANČIČ

“Këto lloj sulmesh të personalizuara ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian janë krejtësisht të papranueshme dhe për të ardhur keq. Bashkimi Europian dhe përfaqësuesit e tij po punojnë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Përsa u përket zhvillimeve aktuale, përfaqësuesja e lartë e BE –së, Mogherini dhe komisioneri Hahn e bënë shumë të qartë qëndrimin e Bashkimit Europian, me deklaratën e së mërkurës”.

Në deklaratën e përbashkët Mogherini – Hahn shprehen keqardhje për bojkotin parlamentar të opozitës dhe për faktin që nuk është regjistruar ende për të marrë pjesë në zgjedhje. Ata kërkuan nga liderët politike të veprojnë me përgjegjësi, të hapin rrugën për zgjedhje demokratike dhe të përfundojnë formimin e institucioneve të Vetting-ut, si një hap vendimtar për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian.

Tv Klan