Rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës nuk ndryshojnë. Shumica e trafikantëve ndryshojnë mënyrat e transportit për t’iu shmangur policisë, por korridoret e drogës mbeten të njëjtat.

Departamenti Qëndror i Çështjeve kundër drogës në Policinë Italiane ka bërë një analizë për këtë fenomen me të cilin Italia përballet vazhdimisht.

Në analizë janë marrë të gjitha llojet e drogërave; hashashi, marijuana, kokaina dhe heroina.

Kokaina niset nga Amerika Latine dhe mbërrin në Holandë dhe Spanjë duke u transportuar me avionë apo me skafe të shpejtë, e prej këtej destinacioni përfundimtar është në Milano.

Heroina niset nga Afganistani dhe kalon përmes Iranit e Turqisë dhe si korridor shërbejnë vendet Ballkanike, mes të cilave Shqipëria. Një pjesë e konsiderueshme e heroinës dhe opiumit që niset nga Afganistani menaxhohet nga grupet terroriste të ISIS.

Sa i përket marijuanës, Shqipëria konsiderohet vend origjine. Marijuana niset nga vendi ynë në rrugë detare drejt brigjeve të Pulias, Kalabrisë dhe Siçilisë në Itali. Vitet e fundit është përdorur edhe mënyra e transportit nga ajri përmes avionëve të vegjël.

Kurse Maroku ka ekskluzivitetin për hashashin që trafikohet drejt Spanjës, vend që konsiderohet si qendër në Evropë nga trafikantët. /

tvklan.al