Kombëtarja udhëtoi sot paradite drejt Marsejës për sfidën me Francën. Kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën e fundit në stadiumin “Velodrome”, aty ku nesër në orën 21:00 do të luhet përballja.

Gianni De Biasi pritet të ndryshojë në mesfushë. Mundësitë janë aktivizimi i Andi Lilës dhe Ledian Memushajt. Ky i fundit ndihmoi sulmin në miqësoren e para një viti në Elbasan me përfaqësuesen franceze. Arlind Ajeti mendohet të zëvendësojë Lorik Canën e pezulluar, në qendër të mbrojtjes.

Ergys Kaçe i cili pati një problem në gjurin e majtë duke mos u stërvitur dje paradite, por iu bashkua në seancën e pasdites mund ta nisë nga stoli. Në sulm, favorit është përsëri Armando Sadiku. Takimi me Francën është tepër i rëndësishëm për ecurinë në finalet e Europianit, një debutim absolut i Shqipërisë në një turne madhor.

Tv Klan