Redi Jupi nuk është më trajneri Kombëtares Shpresa. 42-vjeçari drejtoi përfaqësuesen U21 në kualifikueset e Euro 2017.

Vetë Jupi tha se kontrata e tij me federatën përfundoi, ndërsa FSHF nuk ka ende një qëndrim zyrtar. Redi Jupi mori drejtimin e skuadrës verën e kaluar, ndërsa mediat sportive aluduan se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e tij me trajnerin e Kombëtares Gianni De Biasi nuk ishin të mira, për shkak të grumbullimit të lojtarëve të shpresave dhe mosaktivizimit të tyre në kombëtaren A.

Megjithatë për këtë nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga palët. Nën drejtimin e Redi Jupit, Kombëtarja Shpresa e mbylli në vendin e katërt në grupin kualifikues për Euro 2017, duke lënë pas Hungarinë dhe Lihtenshtejnin. Jupi arriti në total në ndeshje miqësore dhe zyrtare 3 fitore, 7 barazime dhe 5 humbje.

Tv Klan