Shqipëria do të luajë me Italinë në kualifikueset e Kupës së Botës 2018, por më parë do të luhet një tjetër sfidë. Kjo përballje do të jetë një miqësore mes përfaqësueseve të 21-vjeçarëve, sipas trajnerit të Kombëtares Shpresa, Redi Jupi.

Data e takimit do të jetë më 10 gusht dhe mund të zhvillohet në stadiumin e San Benedetos me një kapacitet rreth 15 mijë spektatorë, por ende nuk është zyrtarizuar fusha.

Kombëtarja Shpresa dhe ajo e Italisë së 21-vjeçarve kanë luajtur disa herë. E fundit ishte në vitin 2007 për eliminatoret e Europianit. Kjo miqësore do të jetë një provë para ndeshjeve kualifikuese të Euro 2017 me Greqinë dhe Izraelin.

Kombëtarja Shpresa do të luajë edhe dy miqësore muajin e ardhshëm, por ende nuk janë përcaktuar rivalët.

Endrit Sauku, Tv Klan