Ana Sheldia, një banore e vjetër e qytetit të Shkodrës, denoncon në emisionin “STOP” konfliktin që i ka lindur me Kuvendin Françeskan të qytetit. Ky i fundit ka zgjeruar hapësirën, duke ndërtuar një mur fare pranë dritares së zonjës. Në Kuvendin Françeskan, prift Ladi nuk pranon të japë shpjegime mbi këtë mur. Ndërsa në Bashkinë e Shkodrës, zëdhënësi Sead Cena, thotë se për rastin e ndërtimit në fjalë, nuk ka as leje dhe as deklarim.

“Unë jam Ana Sheldia, një qytetare e vjetër shkodrane. Siç e shihni kjo është prona ime dhe kam një problem me Kuvendin Françeskan. Të hënën në orën 07:30 vijnë dhe konfliktohen me banorët dhe me xhaxhain tim. Kanë thyer murin ekzistues, që ka bërë me leje babi im. Problemi është se ata janë duke bërë një ndërtim pa leje. Plus që është muri jonë, thjesht të kishin marrë leje për ta hedhur më përpara sepse një derë e vogël nuk do të na kishte hapur probleme. Rrjeta e derës është vendosur nga policia të hënën. Jemi revoltuar me ta, jemi konfliktuar me punëtorët, por kanë vazhduar punën e tyre. Prifti gjithmonë ka thënë se është në tokën e tij!”

Ana thotë se dera është vendosur dy pëllëmbë larg dritares së saj dhe se muri është zhvendosur vetëm një metër. Ajo shton se Kuvendit Françeskan nuk u shërben ajo derë pasi ata kanë edhe tre dyer nga ana tjetër.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Kuvendit Françeskan për të pyetur nëse kanë një leje për shtyrjen e murit.  

Gazetarja – Keni marrë leje nga Bashkia për të ndërhyrë?

Prift Ladi – Nuk merrem me këtë punë. Nuk është korrekte.

Gazetarja – Meritoj një përgjigje.

Prift Ladi – Nuk është e vërtetë!

Gazetarja – Keni marrë një leje?

Prift Ladi – Nuk kthej përgjigje! Jemi duke u marrë me organet kompetente të shtetit.

Gazetarja – Që do të thotë?!

Prift Ladi – Që do të thotë që është në shqyrtim e sipër.

Gazetarja – Për një leje?! Në shqyrtim e sipër për çfarë?

Prift Ladi – S’jam i detyruar të të kthej përgjigje.

Gazetarja – Duhet të kesh marrë një herë lejen e pastaj të ndërhysh!

Prift Ladi – Nuk kthej përgjigje për këtë punë! Dakort?

Por zëdhënësi i Bashkisë Shkodër, Sead Cana shprehet se më datë 03.04.2017 pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, e cila ndodhet në Bashkinë e Shkodrës, ka shkuar Ana dhe është ankuar në lidhje me një ndërhyrje që po bëhet, sipas saj në pronën e saj private dhe pa leje nga bashkia.

“Po atë ditë, inspektorët kanë shkuar dhe kanë verifikuar në vend ndërhyrjen që po bënin. I kanë lajmëruar personat që po ndërhynin, pra Kuvendin Françeskan, që brenda afatit ligjor prej 5 ditësh të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që të ligjërojë këtë ndërhyrje. Momentalisht jemi brenda këtij afati ligjor dhe jemi në pritje. Në Bashkinë Shkodër nuk ka një kërkesë për leje apo për deklarim punimesh për këtë rast.”

Deri në përfundimin e afatit ligjor, jemi në pritje nëse Kuvendi Françeskan do të dorëzojë dokumentacionin në Bashkinë e Shkodrës./tvklan.al