Myslimanët shqiptarë vazhdojnë të solidarizohen në ndihmë të banorëve të izoluar nga dëbora në veri dhe juglindje të vendit. Si pasojë e kësaj situatë të krijuar, Komuniteti Mysliman i ka bërë thirrje të gjithë myslimanëve që të japin kontributin e tyre për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve.

Në kuadër të kësaj fushate, Nënkryetari Gazmend Aga i ka bërë thirrje sot nga xhamia e Et’hem Beut të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe më gjerë, që të gjendemi në mbështetje të familjeve të izoluara në veri të vendit nga bora.

Për këtë ata kanë vendosur edhe një arkë, ku çdo qytetar mund të hedhë kontributin e tij, kontribut i cili më pas do të trokasë në dyert e familjeve të izoluara, për t’ia lehtësuar sadopak vështirësitë e këtyre ditëve të ftohta dimri.

“Ata janë në sprovë, po edhe ne jemi sprovuar me ata, se sa do t’ju gjendemi pranë. Të gjithëve ju drejtohemi pa përjashtim, që të vini dorën në zemër për njerëzit e ngujuar nga i ftohti dhe bora, e të kontribuojmë me ç’të mundemi, rroba, ushqime, elektroshtëpiake dhe vleftë monetare dhe jo vetëm kaq, po edhe lutjet t’ia drejtojmë Zotit për të lehtësuar situatën e njerëzve në nevojë”, 

u është drejtuar Nënkryetari Aga besimtarëve myslimanë.

Ndërkohë, po në kuadër të kësaj fushate, Myftinia Pukë dhe Myftinia Shkodër, dy ditë më parë kanë shpërndarë ndihma të konsiderueshme në familjet e izoluara dhe do vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Përfaqësuesit e këtyre myftinive kanë trokitur në dyert e banorëve të izoluar për t’i ndihmuar ata në këto ditë të vështira./tvklan.al