Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e konsideron të mbyllur tenderin e dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”, duke shpallur fitues bashkimin e kompanive shqiptare “Katalist dhe Salillari”. Ky vendim vjen pas rrëzimin të ankimimit, që Ministria e Transporteve bëri në Komisionin e Prokurimit Publik.

Fillimisht, Ministria e Transporteve shpalli fitues të koncesionit të mirëmbajtjes së aksit Milot – Morinë kompaninë turke “Vendeka Bilgi”. Në Komisionin e Prokurimit Publik u bë një ankesë nga kompnaitë shqiptare “Katalist dhe Salillari”. Ato pretendonin se ishin skualifikuar padrejtësisht nga gara.

Pas shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik u dha të drejtë dhe e përmbysi tenderin, duke rrëzuar kompaninë turke dhe shpallur fituese kompanitë shqiptare. Këtë lëvizje të KPP-së e ankimoi vetë Ministria e Transporteve, por me vendimin e fundit, ajo ka rrëzuar pretendimet e bëra.

Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës thotë se do të ndjekë hapat e mëtejshëm për ekzekutimin e këtij vendimi dhe në bashkëpunim me konsulentin ndërkombëtar “IFC”, pjesë e Bankës Botërore do të vijojë me negocimin e kontratës me kompaninë fituese.

Rruga e Kombit është parashikuar të jepet me koncesion për mirëmbajtje për 30 vite dhe tarifa e kalimit për makinat e vogla do të jetë 5 euro, ndërsa për kamionët 10 euro.

Tv Klan