KONFIUVetëm një ditë pas mbledhjes së përbashkët në Prizren të qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës,  Konfindustria përmes një njoftimi për shtyp sqaron se tregu mbarëshqiptarë 7 milionësh është vështirësuar deri në dështim.

Sipas saj, vendimet e pastra proteksioniste të dyanshme në fushën e tregëtisë së prodhimeve bujqësore, pijeve alkoolike, birrës e çimentos, apo dhe vonesat e paarsyetuara të njësimit të legjislacionit ekonomik e tregtar janë disa nga arsyet që po çojnë drejt një mbyllje të tregjeve në vendet respektive.

Për Konfindustrinë kulmi i përfshirjes së institucioneve shtetërore në një luftë tregtare të pandershme ndërmjet dy vendeve ishte ndalimi i hyrjes së prodhimeve të qumështit me origjinë të Shqipërisë në tregun e Kosovës me pasoja kriminale, që kanë çuar deri në shkatërrim të industrive përkatëse.

Për këtë arsye Konfindustria mbështet tejkalimin e problematikës të vonesave për fillimin e ndërtimit të linjës së energjisë elektrike  400 KE Shqipëri-Kosovë.

Ajo vlerëson se vonesat e paarsyeshme të krijimit të Tregut të Përbashket Mbareshqiptar, zhvleftësojnë duke ulur ndjeshëm efektivitetin edhe të investimeve të mëdha të përbashkëta në infrastrukturën rrugore siç është Rruga e Kombit, me një shifër prej afër 2 miliard euro, duke i dhënë një barrë shtesë ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës.