Kombëtarja do të nisë përgatitjet për finalet e Euro 2016 më 23 Maj në Bad Waltersdorf të Austrisë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar të gjithë programin nga kjo ditë deri më 19 Qershor, kur do të luhet ndeshja e fundit në grup.

Në kampin stërvitor në Austri, përfaqësuesja do të qëndrojë deri më 1 Qershor. Gjatë kësaj periudhe do të zhvillojë edhe dy miqësore me Katarin dhe Ukrainën.

E para do të luhet në Austri, më 29 Maj dhe dyta në Itali, më 3 Qershor.

Kombëtarja do të zhvendoset në Perros Guirec, më 6 Qershor, ku do të qëndrojë gjatë të gjithë kohës, ndërsa do të lëvizë në qytetet, ku do të luajë ndeshjet vetëm 1 ditë para.

Gianni De Biasi dhe stafi i tij teknik kanë programuar dy seanca stërvitore në ditë dhe një dalje të përditshme para gazetarëve.

Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë më 11 Qershor ndaj Zvicrës në Lens.

Me Francën, Kombëtarja do të përballet në 15 Qershor në stadiumin e Marsejës, ndërsa takimet në grup i mbyll ndeshja me Rumaninë në 19 Qershor në Lion.

Endrit Sauku/Tv Klan