Editorial – The New York Times

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është arrogant. Ai ka burgosur dhjetëra mijëra njerëz, mbyllur më shumë se 150 media dhe ka shpallur një referendum në Prill për të zgjeruar pushtetin e tij. Mirëpo, kur autoritetet gjermane, për arsye sigurie, ndaluan dy ministra turq të bëjnë fushatë në emër të tij tek turqit që jetojnë në Gjermani, Erdogani shpërtheu duke e akuzuar Gjermaninë për praktika naziste dhe se nuk ia ka haberin demokracisë. Nëse ai vetë do të ndalohej të fliste në Gjermani, Erdogan paralajmëroi se “do t’a ngrinte botën në këmbë”.

Kjo e gjitha është edhe më arrogante po të dish se në mesin e dhjetëra gazetarëve të arrestuar në Turqi është edhe një reporter i “Die Welt”, me shtetësi gjermane dhe turke, të cilin Erdogan e ka akuzuar si spiun gjerman dhe “përfaqësues” të grupit të jashtë-ligjshëm rebel kurd. Disa politikanë të zemëruar gjermanë i kërkuan kancelares, Angela Merkel, t’i tregojë vendin Erdoganit dhe t’i thotë se nuk është i mirëpritur në Gjermani. Siç duhet, me mençuri, ajo nuk e bëri këtë. Shfaqjet e politikanëve kryesorë turq, tha ajo, “janë të mundshme brenda ligjeve në fuqi këtu.” Lejet për mitingje janë trajtuar në nivel lokal, megjithatë, dhe Merkel tha se nuk kishte ndikim mbi to.

Pas vetëpërmbajtjes së Merkelit ka arsye sigurie. Gjermania përdor një bazë të NATO-s në Turqi për avionët zbulues në luftën kundër Shtetit Islamik dhe Merkel ishte forca kryesore pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Ankaranë, sipas të cilës, Turqia ndihmon në frenimin e rrjedhës së refugjatëve në Evropë. Por, ç’është më e rëndësishmja, Gjermania nuk dëshiron të ulet në nivelin e Erdoganit.

Megjithëse Gjermania është ndoshta ndër demokracitë evropiane më tolerante dhe ligj-zbatuese, atyre u duhet që rregullisht të kundërshtojnë përkujtesat e të kaluarës së tyre naziste, veçanërisht nga shtete të tilla si Greqia, Polonia apo Hungaria që e gjejnë veten tek vuajnë qortimin e Bashkimit Evropian. Mirëpo, është e turpshme për liderin e një kombi të madh dhe aleati të NATO-s të lëshojë sulme të tilla, veçanërisht në një kohë që Erdogani ka bërë kaq shumë për të shkatërruar lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit në Turqi.

Rreth 1.5 milionë turqit në Gjermani, me të drejtë vote për referendumin e thirrur nga Erdogani, janë natyrisht me interes të madh për të. Fakti që Gjermania siguron jetesën për kaq shumë turq është argument kundër akuzave të Erdoganit, ndërsa ndalimi i surrogatëve të tij nga të bërit fushatë në mesin e tyre, siç bënë autoritetet lokale (gjermane), vetëm se i jep atij ushqim.

Përgjigjja më e mirë është që vazhdimisht t’i kujtohet Erdoganit, surrogatëve dhe njerëzve të tij, se liritë që kaq shumë turq gëzojnë në Gjermani po shkatërrohen sistematikisht dhe paturpësisht në Turqi./Shqipëroi F.P.- 

tvklan.al