Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e cilësoi një gabim të madh aprovimin e ligjit që u lejon individëve të ndjekin penalisht Arabinë Saudite për sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Të dy dhomat e Kongresit Amerikan e kaluan ligjin duke anuluar veton e Presidentit Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, tha se ky rast do të përbëjë një precedent të rrezikshëm, pasi do t’u mundësojë të tjerëve të ndjekin penalisht SHBA-të.

Edhe Drejtori i CIA-s John Brennan, doli kundër ligjit, për të cilin tha se cënon rëndë sigurinë kombëtare. Kjo është hera e parë për Obamën që Kongresi anulon veton e tij presidenciale.

15 nga 19 autorët e sulmit të 11 Shtatorit ishin shtetas sauditë, por vetë Arabia Saudite, vend partner kyç i SHBA-ve, ka mohuar të ketë rol në masakrën që la të vdekur rreth 3 mijë persona./tvklan.al