5 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për kontrabandë mallrash dhe shpërdorim detyre.

Në një njoftim për mediat, Prokuroria sqaron se 

ndaj personave në fjalë janë urdhëruar masat e sigurimit nga gjykata, pasi dyshohet se prej tyre janë futur kontrabandë në vend makina luksoze kryesisht të markës “Range Rover”, të vitit të prodhimit 2015, duke shmangur vlerën e doganës”.

Pas një hetimi disa mujor të prokurorëve të Strukturës së Posaçme (Forca e Ligjit) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u bë e mundur arrestimi i shtetasve:

Elison Shehaj, lindur në Ballsh-Fier dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” (4 herë) dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. Ky shtetas ka pasur pozicion pune specialist i regjistrimit të mjeteve në DRSHTR-Tiranë.

Mirjan Driza, lindur dhe banues në Durrës, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” (2 herë). Ky shtetas ka pozicionin e agjentit doganor në agjencinë doganore “Laura One”, Durrës.

Xhani Rama, lindur dhe banues në Durrës, i dyshuar për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” (2 herë).

Ervin Demiraj, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Aurel Karaj, lindur në Tiranë dhe banues në Kodër Kamëz, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit arrest në burg është caktuar dhe ndaj tre shtetasve, I.T, Th.R dhe R.H, të cilët janë shpallur nga policia në kërkim.

Organi procedues në funksion të këtij hetimi ka caktuar dhe masat ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj shtetasve:

-Merita Zonja, lindur dhe banues në Durrës, e dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, masa ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”.

Ilir Prifti, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, masa ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”.

Masë sigurimi detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore është caktuar për shtetasit:

-Miri Zenaj, lindur dhe banues në Fier, i dyshuar për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Imerr Kaca, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqiturn në policinë gjyqësore”./

tvklan.al