Edhe pse Shqipëria ka pasur rritje ekonomike të lartë krahasuar me vendet e rajonit, ajo sërish nuk ka prodhuar sa duhet vende të reja pune. Në fund të vitit 2017, vendi ynë regjistroi shifrën zyrtare më të lartë të të punësuarve në dekadën e fundit, por sërish problemet në këtë treg janë të shumta. Kosta Bajraba, ekspert për çështjet e punësimit, thotë se që të arrihet shtimi i punësimit, duhet që politikat të orientohen në mbështetjen e sektorëve prodhues, duke luftuar papunësinë klasike.

Një tjetër problem që ka tregu është edhe niveli i lartë i informalitetit. Organizata Botërore e Punës llogarit se në Shqipëri, 18.8% e vendeve të punës janë informale, ndërsa ekspertët mendojnë se vitet e fundit është punuar për të ulur këtë dukuri e se ka pasur rezultate.

Ekspertët sugjerojnë që qeveria të vijojë edhe me politikat e nisura për arsimin profesional duke orientuar aftësimin e forcës së punës drejt asaj që kërkon tregu, por edhe duke marrë kontribute për këtë nga sektori privat. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, janë 10 mijë vende pune bosh, të cilat nuk po arrijnë të thithin forcat punëtore, e për këtë qeveria ka ndërmarrë një nisëm ligjore për t’u dhënë Zyrave të Punësimit rolin e ndërmjetësit dhe këshilluesit për të papunët.

Tv Klan