Raportet financiare të partive politike për fushatën zgjedhore të 25 qershorit të publikuara nga KQZ nuk kanë bindur as qytetarët e thjeshtë as OSBE dhe as ekspertët e zgjedhjeve. Ashtu si edhe në të gjitha fushatat zgjedhore pararendëse, sërish flitet për para të dyshimta, për financues që fshihen dhe parti që gjejnë mënyra për të mos bërë transparencë të plotë për paratë që hedhin në fushatë.

Ndërsa në zgjedhje konkurruan 18 subjekte zgjedhore, vetëm 10 prej tyre e kanë plotësuar detyrimin për raportet financiare. Nga sa kanë deklaruar tashmë publikisht, socialistët kanë shpenzuar 1 miliard lekë në fushatë, rreth 100 milionë më shumë se të ardhurat. PD ndonëse humbi zgjedhjet ka arritur të kursejë 300 milionë lekë, pasi ka shpenzuar vetëm 580 milionë nga 880 milionë që ka pasur të ardhurat. LSI ka shpenzuar rreth 300 milionë lekë më shumë se PD. Ndoshta asnjëherë shumat reale të parave të shpenzuara nga partitë në fushatë nuk do mësohen nga njerëzit e thjeshtë, por si zgjidhje propozohet një strukturë e pavarur që do t’i hetonte këto fonde.

Financimi informal i fushatave elektorale, me para të biznesit apo edhe të botës së krimit, janë vlerësuar si burimi më i madh i korrupsionit dhe inkriminimit të politikës. Ai konsiderohet nga ekspërtët si parapagim i aferave dhe favoreve, ndaj ata mendojnë se korrupsioni nuk do të luftohet dot kurrë nëse nuk ndërpriten paratë e zeza që financojnë politikën.

Klan Plus