Në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetarja Monika Kryemadhi ka deklaruar se janë gati që të përballen dhe të ngrihen kundër kësaj mazhorance të cilën ajo e akuzoi si të lidhur me krimin.

Kryemadhi drejtoi gishtin ndaj Kryeministrit Edi Rama, si personin e vetëm pergjegjës për situatën në të cilën ndodhet vendi. Kryetarja e LSI-së këtu përmendi rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohet si i implikuar në trafikun e drogës me Habilajt.

“E gjithë kjo situatë katastrofike ka një autor. Ai është Edi Rama, ky njeri që deri më sot nuk ka patur asnjë marrdhënie me të vërtetën, ndihet i frikësuar për karriken që po i lëkundet për hir të asaj që ai është gati të bashkëpunojë me çdo kriminel. Ky kryeministër që sot sheh frikërat e tij me arrogancën, çdo ditë po e kupton dhe vet që asgjë nuk mund t’ja zgjasë më qëndrimin e tij në karrike.

Nuk kemi më kohë për të humbur me retorikën politike dhe as nuk do të presim paradën mediatike të fakteve të tjera tronditëse të kësaj mazhorance të kapur nga krimi. Ne jemi gati të përballemi, duhet të shkundim apatinë kolektive kundër një rreziku të madh që i kanoset vendit”

, deklaroi Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protestë për të larguar nga pushteti Kryeministrin Edi Rama për shkak se ka shkatërruar të ardhmen e vendit.

“Çfarë duhet të ndodhi në këtë vend që qytetarët të binden se e tashmja dhe ardmhja e tyre është peng në dorën e një grushti oligarkësh. A keni dëgjuar së fundmi për temën piramidale të qeverisë të quajtur “projekti 1 miliardë euro”. Kjo është një shpikje si kjo qeveri kërkon të pastrojë paratë e drogës. Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera, unë besoj sot se çdo qytetar i përgjegjshëm nuk mund të rrijë më gojëkyçur dhe nuk mund të pajtohet me hallet që po kalon ky vend”,

u shpreh Kryemadhi. 

/tvklan.al