Në vazhdën e tensioneve mes Shteteve te Bashkuara dhe Koresë së Veriut, kjo e fundit ka ndaluar një qytetar amerikan teksa po linte vendin komunist.

Burri i identifikuar vetëm nga mbiemri, Kim, është amerikani i tretë që ndalohet nga Koreja e Veriut. Ai nuk u lejua te dilte nga vendi duke u ndaluar nga autoritetet e sigurisë së aeroportit të Penianit.  Një amerikan tjetër u gjykua për spiunazh dhe u dënua me 10 vite burg brenda territorit korean, ndërsa një i tretë u akuzua për vjedhje në një hotel pas së cilës mori 15 vite burg dënim.

Ngjarja pason kërcënimet amerikane ndaj Koresë së Veriut mbi programin e saj bërthamor për të cilin Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të bëjnë gjithçka për ta ndaluar.

Në fundin e javës së ardhshme, luftanija amerikane “Carl Vinson” pritet t’i afrohet ujërave të gadishullit korean.

Të dielën, Koreja e Veriut deklaroi se do të godasë luftanijen amerikane. Në këtë mënyrë, vendi komunist pretendon se do ta fundosë flotën amerikane dhe do t’i tregojë botës forcën e saj ushtarake.

Aktualisht, forcat amerikane po stërviten me flotën japoneze në ujërat e Paqësorit, stërvitje që ka shkaktuar edhe reagimet agresive të Koresë së Veriut./ TV KLAN