Koreja e Jugut ka ofruar bisedime të nivelit të lartë me Korenë e Veriut më 9 Janar për të diskutuar pjesëmarrjen e mundshme të koreano-veriorëve në Lojërat Olimpike Dimërore 2018.

Ftesa e Seulit vjen pasi diktatori Kim Jong Un tha se po konsideronte dërgimin e një ekipi në Korenë e Jugut për Lojërat që do të mbahen në muajin Shkurt, raporton BBC.

Kim Jong shtoi se të dy palët “duhet të takohen urgjentisht për të diskutuar mundësinë”.

Kurse Presidenti i Koresë së Jugut u shpreh se e sheh këtë mundësi si një shans për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve.

Një ministër koreano-jugor propozoi që bisedimet mes dy palëve të mbahen në Panmunjom, i quajtur ndryshe fshati i armëpushimit, një zonë e çmilitarizuar ku koreanët kanë mbajtur historikisht bisedime.

Nuk dihet ende se kush do të marrë pjesë në bisedimet e nivelit të lartë të propozuar më 9 Janar nga Koreja e Jugut, ndërsa Koreja e Veriut nuk ka reaguar akoma.  /

tvklan.al