Koreja e Jugut i propozoi Veriut komunist bisedime ushtarake, me qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve dhe zbutjen e aktivitetit bërthamor që ka ndërmarrë Peniani.

Seuli zyrtar i konsideron si thelbësore bisedimet me fqinjin verior, të cilit i propozon një tryezë dialogu në zonën demilitarizuar, në kufirin mes vendeve.

Paqja me Korenë e Veriut ishte një nga premtimet e presidentit Moon Jae-in. Gjatë një fjalimi në Berlin pak kohë më parë ai i propozoi vendit komunist firmosjen e një Traktati paqeje.

Koreja e Veriut vonon të japë një përgjigje.

Nëse dy vendet do të uleshin për një dialog, këto do të ishin bisedimet e para që prej vitit 2015.

Intensifikimi i programit raketor të Koresë së Veriut është kthyer në kërcënim serioz për rajonin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Testi i fundit i raketës ndër-kontinentale që mund të mbërrijë deri në Alaskë, u cilësua i suksesshëm nga Peniani. Uashingtoni paralajmëroi në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara se do të reagojë me forcë ndaj kërcënimit raketor të komunistëve.

/Tv Klan