Koreja e Veriut i përgjigjet SHBA-së: Jemi gati për të sulmuar, po presim urdhër



Retorika mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është ashpërsuar më tej sot. Koreja e Veriut reagoi sot ndaj paralajmërimeve më të fundit të Presidentit Trump.

Në një artikull editorial të botuar të shtunën në gazetën Mi nju Joson të Koresë së Veriut thuhej se “SHBA e gjejnë veten në mesin e dileme që po vjen duke u keqësuar, e mbërthyer në një ankth të jashtëzakonshëm për sigurinë nga Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut. Kjo është një tragjikokomedi e krijuar vetë prej atyre.”

Më tej artikulli vazhdon: “Ushtria e fuqishme revolucionare e Republikës së Koresë është e fuqishme për të luftuar çdo lloj lufte që kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe është në gatishmëri për të sulmuar trojet amerikane, në pritje të një urdhëri për sulm. Në se administrata Trump nuk dëshiron të përballet me një fund tragjik, ajo duhet të veprojë siç duhet.”

Këto komente nga Koreja e Veriut vijnë pas ashpërsimit të retorikës mes SHBA dhe Koresë Veriut. Dje Presidenti amerikan Donald Trump bëri komente të reja në Twitter, kur tha se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

Për krizën koreane është shprehur edhe Kina, një aleate tradicionale e Koresë së Veriut, duke thënë se nuk do ta ndihmonte Phenianin, në se ai sulmon i pari. Të premten në mbrëmje Presidenti Donald Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping patën një bisedë telefonike; ata përsëritën përkushtimin e tyre për çmilitarizimin e gadishullit korean.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se të dy udhëheqësit pohuan se miratimi i një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Korenë e Veriut ishte një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm drejt paqes dhe stabilitetit në gadishullin korean.

Dje Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat.

Në komentet e bëra të premten pasdite në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un.

Zoti Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.

“Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë.”

Shumë analistë, i kanë kritikuar deklaratat e presidentit Trump.

“Mendoj se gjuha e Presidentit Trump ishte acaruese. Është e njëjta gjuhë zjarrvënëse që jemi mësuar të dëgjojmë nga koreanoveriorët,” tha John DeLury i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut.

Por presidenti Trump thotë se diplomacia nuk ka funksionuar me Kim Jong Unin apo të atin e tij:

“Ata kanë negociuar për 25 vjet. Clinton bëri negociata. Ai ishte i dobët dhe i paefektshëm. Çfarë ndodhi me presidentin Bush, çfarë ndodhi me Obamën? Obama as që donte të fliste për këtë.”

Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë. Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane:

“Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë.”

Ekspertët ushtarakë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të afta të asgjësojnë ushtarakisht Korenë e Veriut por me një kosto të madhe njerëzore. Një sulm bërthamor mbi atë vend, do të vriste miliona koreanoveriorë dhe do të dëmtonte fqinjët e Phenianit. Sulmi do të armiqësonte gjithashtu Kinën.

Zoti Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.

“Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato.”

Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë. /VOA


Kategori
KronikeTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*