Koreja e Veriut do të testojë një bombë bërthamore në Oqeanin Paqësor. Paralajmërimi vjen nga një zyrtar i lartë i vendit komunist në një intervistë për CNN.

Sipas tij, kërcënimi i ministrit të jashtëm koreano-verior në OKB se Peniani do të testojë një raketë bërthamore, duhet të merret seriozisht. Koreja e Veriut i ka kthyer gjithmonë  fjalët në vepra, tha zyrtari i lartë, duke nënvizuar se këto deklarata vijnë në përputhje me qëllimet që ka lideri komunist Kim Jong-Un.

Peniani ankohet për mungesën e kanaleve diplomatike me Uashingtonin, pavarësisht se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson këmbëngul prej muajsh se ato janë funksionale.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut mbeten të larta pas deklaratës së presidentit Trump në OKB. Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nëse regjimi komunist do të lëshonte një raketë ndaj territorit amerikan, ai do të shkatërronte menjëherë Korenë e Veriut./Tv Klan