Kjo është gjendja në dy prej kantiereve më të rëndësishëm të rrugëve në vend. By Passi i Fierit dhe ai i Vlorës prezantojnë një panoramë të shkretë. Nuk po punohet prej një muaji ndërsa zyrat e Serenisimas  janë boshatisur

Në kantierin e Levanit në Fier afati i punimeve është fshirë nga tabela pasqyruese e investimit.

Në Vlorë by passi duhej të kishte përfunduar por zvarritja e punimeve çoi në shtyrjen me një vit. Punimet janë ndalur dhe zyrtarët e Serenisimas nuk ndodhen në kantier.

Punimet për dy autostradat kanë nisur në vitin 2013. Zvarritja e tyre po lë pezull lidhjen mes dy akseve kryesorë të jugut atë Levan-Vlorë me Vlorë-Sarandë. Zvarritja pa fund e punimeve po e bën jetën e banorëve të padurueshme si rasti i familjes Rexhepi në Mbrostar

Burime  nga Serenisima thonë se kompania i ka shitur aksionet e saj te një kompani spanjolle. Nga Ministria e Transportit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka asnjë sqarim për pezullimin e punimeve.

“Serenisima construzioni” e fitoi tenderin për të ndërtuar dy autostradat lidhëse të jugut të vendit duke ofruar 20 milionë euro më pak. Dy vjet pas nisjes së punimeve në dhjetor të vitit 2015, nën-kontraktorët shqiptarë e çuan Serenisiman në gjyq për mos shlyerje të detyrimeve duke përfshirë këtu edhe pagat e punonjësve.

Konflikti pezulloi punimet për afro një vit.  Në tetor të vitit 2016 Serenisima kontraktoi firma të tjera shqiptare duke rifilluar punimet. Prej një muaji puna është ndalur. Me këto ritme punimet për by pass in e fierit nuk dihet se kur mund të mbyllen ndërsa by passi i Vlorës duket se do të përfundojë vetëm pas atij të fierit.

By Passi i fierit është i gjatë 22 km dhe për realizimin e tij janë vënë në dispozicion 60 milionë euro. Ai lidh autostradën Lushnjë-Fier me Levan-Vlorë duke shërbyer si nyje lidhëse mes veriut dhe jugut të vendit.  By passi i Vlorës ka një gjatësi prej 30 km dhe bën lidhjen mes autostradës Levan-Vlorë dhe Vlorë-Sarandë. Për realizmin e tij janë ofruar 30 milionë euro.

Të dyja veprat i ka marrë përsipër kompania italiane Serenisima. Investitorët janë Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Erupiane për Rindërtim dhe Zhvillim.