Kosova feston sot 9 vjetorin e pavarësisë. Shteti më i ri evropian vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave, por “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në skandinavi.

Në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi. Por, tregimi i bukur për Kosovën, zbehet kur shihet ana tjetër e zhvillimit të brendshëm, funksionimit të institucioneve dhe pafuqia në vendimmarrje.

Edhe nëntë vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të populluar nga shumica serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.

Kurse në planin e jashtëm, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke mos e vënë në plan afatshkurtër mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore, mbajtja e strukturave paralele të pushtetit dhe diplomacia agresive kundër shtetit të Kosovës, kishte shtyrë BE-në që në vitin 2011 të niste një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu, po vazhdon ende, por përmbyllja e procesit me normalizim të marrëdhënieve nuk duket të jetë afër.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë./tvklan.al