Dakordësia arrihet nga kryenegociatorët në Bruksel

Pas disa orësh bisedimesh të zhvilluara këtë të mërkurë në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave. Ishin kryenegociatorët e të dyja vendeve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç që gjetën dakordësinë nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak. Lajmin për marrëveshjen e dha i pari kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell që ka sqaruar edhe angazhimet e palëve.

Ne kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Borell ka falënderuar Lajçak dhe përfaqësuesit e palëve të cilët i ka ftuar që në ditët në vijim të ulen sërish për të diskutuar hapat e ardhshëm. Ka reaguar edhe Lajçak që thotë se një falënderim i madh shkon Departamentit Amerikan të Shtetit dhe diplomacisë amerikane për mbështetjen e tyre të parezervë.

Takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas dështimit të bisedimeve mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç. Vendimi i qeverisë së Kosovës për të gjobitur me 150 Euro automjetet që mbajnë targa serbe shkaktoi tension në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kërkuan në vijimësi Kurtit ta shtynte vendimin që të shmangeshin situatat e rrezikshme.

Tv Klan

Marrëveshja për targat | Lajçak falenderon Bislimin, Petkoviç dhe DASH

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka falenderuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, për siç tha, angazhimin konstruktiv.

Lajçak, falenderoi edhe Departamentin Amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane.

“Falenderimet e mia sonte shkojnë për Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç për angazhimin e tyre konstruktiv sot. Dhe një falenderim i madh për DASH dhe diplomacinë e SHBA për mbështetjen e paçmuashme”, shkroi ai.

Kujtojmë se sonte Kosova e Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave.

Marrëveshja për targat, Osmani falenderon ambasadorin e SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe qeverinë e SHBA-së, pas arritjes së marrëveshjes për targat.

Osmani tha se Hovenier dhe qeveria e SHBA-së patën angazhim aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel.

“Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse”, shkroi Osmani.

Ishte shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ai që njoftoi se Serbia nuk do të lëshojë më targa KM e PR dhe Kosova nuk do të vazhdojë me masat e tjera në lidhje me këtë çështje.

Haradinaj përshëndet marrëveshjen për targat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook ai ka kërkuar që tani duhet të përmbyllet edhe marrëveshja për njohje me lidership amerikan

“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership amerikan”, ka shkruar Haradinaj./tvklan.al