Në një atmosferë të ftohtë, krerët e shteteve të Kosovës dhe Serbisë i dhanë dorën njëri-tjetrit në Bruksel mbrëmjen e së martës.

Ky moment në dukje i sikletshëm, pas akuzave në distancë të kohëve të fundit, u shoqërua edhe nga fotoja e përbashkët, në praninë e Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini.

Në përfundim të përballjes 3 orëshe, Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se u arrit marrëveshja që të vazhdohet dialogu në Bruksel, në nivelet më të larta. Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se vendi i tij do t’u përgjigjet në mënyrë institucionale sulmeve serbe.

Fillimisht Mogerini u takua me Presidentin serb Nikoliç dhe Kryeministrin Vuçiç, më pas me atë kosovar, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Mustafa.

Prania e përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk e ndaloi Presidentin serb Tomisllav Nikoliç të përsëriste kërcënimet ndaj Kosovës, edhe pse sqaroi se ajo deklaratë ishte nxjerrë nga konteksti. Në një deklaratë për mediat pas takimit me Mogerinin, ai tha se cilido serb do të shkonte në luftë nëse jeta e serbëve të Kosovës do të kërcënohej.

Tv Klan