Komisioni Europian jep rekomandimin e shumëpritur për qytetarët e Kosovës, lëvizjen e lirë afatshkurër në zonën Shengen. Propozimi u prezantua së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për Kosovën, duke nënvizuar plotësimin e kërkesave për liberalizim.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për emigracionin dhe punët e brendshme:

“Sot do t’i propozojmë Bashkimit Europian liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që janë të pajisur me pasaporta biometrike. Heqja e vizave vjen si rezultat i punës së vështirë dhe realizimit me sukses nga ana e autoriteteve të Kosovës, të reformave në drejtësi dhe çështjet e brendshme që ne kemi kërkuar. Situata do te vijojë të monitorohet. Jam shumë i kënaqur ta prezantoj këtë propozim sot, pasi e di se sa e rëndësishme është heqja e vizave për popullin e Kosovës. Shpresoj që Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës të miratojnë propozimin tonë sa më shpejt.”

Pas takimit me komisionerin Avramopulos Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni nënvizoi rëndësinë e kësaj dite për Kosovën.

Skënder Hyseni, Ministër i Brendshëm i Kosovës: 

Jemi të mbushur me gëzim sepse përveçse ndjehemi europianë, jemi europianë gjithashtu në terma teknikë, pasi mund të lëvizim lirisht”.

Me tu miratuar ky propozim nga Parlamenti Europian, Kosova do të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tv Klan