Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Siç shkruan

Klan Kosova

, Thaçi u shpreh se pret që shumë shpejt të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, që do të jetë perspektiva multietnike e vendit dhe do të mundësojë anëtarësimin në NATO.

Zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet me ajër dhe duke penguar punën e njëri – tjetrit. Kosova do të përmbushë detyrimet e saj dhe në të njëjtën kohë Serbia duhet të bëjë të njëjtën gjë. Ky është një proces që çon në Bashkimin Europian”,

 deklaroi presidenti Thaçi.

Ai foli gjithashtu për situatën politike në vend dhe perspektivën e Kosovës.

“Unë po flas për axhendën shtetërore, interesat e vendit janë mbi interesat e adresave të caktuara. Mendoj se e ardhmja jonë Euro-Atlantike duhet të bashkojë qeverinë e opozitën dhe të gjithë qytetarët e vendit. Populli i Kosovës më shumë se sa zhurmën ditore politike dëshiron perspektivën europiane dhe kjo perspektivë arrihet me rritje ekonomike, me prosperitet, rritje të vendeve të punës, reforma demokratike, fqinjësi të mirë dhe pajtim. Kosova është në rrugën e forcimit të sundimit të ligjit, forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative të fondamentalizmit fetar dhe terrorizmit dhe në të njëjtën kohë duke punuar për të forcuar demokracinë. Mendoj se Kosova po bën hapa të rëndësishëm në rrugën e saj euroatlantike”,

tha më tej Thaçi./tvklan.al