Certifikatë vaksinimi me tre doza për të hyrë në Kosovë

Që nga nesër çdo person që ia mësyn territorit të Kosovës duhet që të ketë më vete certifikatën e vaksinimit me tri doza kundër Covid-19 apo certifikatën e vaksinimit me dy doza, bashkë me testin RT-PCR negativ, jo më herët se 48 orë para nisjes, në të kundërtën nuk do të lejohet që të hyjë në Kosovë.

Nga kjo kërkesë lirohen shtetasit e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit, ndërsa ata që kanë dalë më shumë se 12 orë jashtë vendit dhe nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh. Në kuadër të ashpërsimit të masave që i ka aprovuar qeveria do të ketë kufizim të qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00.

Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%) e kapacitetit të hapësirës.

Ish-Ministri i Shëndetësisë njëherit deputet i LDK-së Armend Zemaj ka thënë se nga paaftësia e qeverisë ka rritje të masave dhe se numri është më i madh me Variantin Omicron. Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 2943 raste të reja me Covid-19 ndërsa një rast i vdekjes. Numri i rasteve aktive ka arritur në 12 396.

Tv Klan