Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat do të zgjidhet qeveria e re e vendit.  Mbi 1 milionë e gjysmë qytetarë të Kosovës, përfshirë edhe Serbët, do të zgjedhin sot 120 deputetë  të parlamentit të ri.

Në garë janë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 lëvizje qytetare.

Tre janë kandidatet kryesorë për kryeministër. 

Ish-kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj, emri i te cilit u propozua nga koalicioni mes AAK-së, PDK-së dhe Nismës.

Avdulla Hoti, ministri në largim i financave, është propozimi i koalicionit të formuar mes LDK-së,  Aleancës Kosova e Re dhe Alternatives si dhe Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes e cila në këto zgjedhje garon e vetme.

Figurat kryesore të politikës në Kosovë e kanë hedhur tashmë votën e tyre, mes tyre, edhe kandidatët për kryeministër.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas votimit, bëri thirrje që qytetarët të nxitojnë drejt qendrave të votimit.

Më shumë se 29 mijë vëzhgues po monitorojnë procesin zgjedhor i cili sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani ka ecur normalisht dhe i qetë.

Zgjedhjet e parakohshme u thërritën nga presidenti Thaçi pasi qeveria e Isa Mustafës nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit, muajin e kaluar.

Partitë politike premtuan gjatë fushatës rritje ekonomike e rritje pagash si dhe lufte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e së dielës do të përballen me probleme si çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte./ TV KLAN

 

***

Në Kosovë sot zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 1.9 milionë votues do të zgjedhin 120 deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Deri në këto momente nuk ka raportime për parregullsi.

Në terren ndodhen vëzhgues të shumtë ndërkombëtarë për të monitoruar procesin e votimit sipas të gjitha standardeve.

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në Kosovë vijnë pas rrëzimit të Qeverisë pas mocionit që kërkoi opozita.

Pas konstituimit të përbërjes së re të parlamentit, partia fituese, përkatësisht kandidati i saj për kryeministër do të mandatohet nga presidenti, për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, zgjidhet nga Kuvendi me mbi 61 vota të deputetëve. Në rast se partia fituese nuk arrin që të sigurojë mbështetjen e Kuvendit për formimin e qeverisë, mundësia do t’i jepet partisë së dytë që ka marrë më shumë vota./

tvklan.al