marreveshja

Isa Mustafa do të jetë kryeministri i ri i Kosovës. Këtë e ka pranuar ai vetë në një prononcim të shkurtër për Klan Kosovën – siç raporton gazeta Express, pas takimit që kreu i LDK ka zhvilluar me presidenten e vendit Atifete Jahjaga.

Në të ka qënë i pranishëm edhe kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, me partinë e të cilit është rënë dakord për krijimin e qeverisë së re.

Lajmin se Mustafa do të jetë kryeministri i ardhshëm e ka konfirmuar pak më vonë edhe numri 2 i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë të shkurtër po për gazetën online Express.

Më herët gjatë ditës, i njëjti portal njoftoi se dy forcat kryesore politike kosovare e kishin arritur marrëveshjen për emrin e kreut të ri të ekzekutivit dhe për ndarjen e posteve.

Sipas saj, LDK përveç kryeministrit do të marrë edhe 7 poste ministrash. Ndërsa, PDK do të drejtojë 8 ministri dhe 4 dikasteret e mbetura do të drejtohen nga përfaqësuesit e minoriteteve.

Hashim Thaçi do të kandidojë për president pas dy vitesh, kur të përfundojë mandati i Atifete Jahjagës.

Ndërsa, takimi në zyrën e kreut të shtetit kishte për qëllim ta informonte atë për ecurinë e negociatave mes palëve.

Sipas njoftimit zyrtar, të dy liderët kanë deklaruar se për shkak të procesit të harmonizimit të koalicionit dhe programit të tij qeverisës, këto forca politike do të jenë të gatshme për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit – që do të zgjedhë organet e tij dhe do të votojë ekzekutivin e ri, vetëm më 8 dhjetor.

Por, sipas mediave në Prishtinë, Jahjaga u ka kërkuar atyre që ky proces të mbyllet brenda muajit nëntor.

Tv Klan