Javën e ardhshme koalicioni qeveritar në Kosovë, do të procedojë lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi synon të marrë mbështetjen e nevojshme për kreun e shtetit për një mandat 5-vjeçar.

Sipas Kushtetutës, 7 Marsi është data e fundit për zgjedhjen e Presidentit, e megjithatë Kreu i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se këtë proces do ta mbyllim javën e ardhshme, brenda muajit shkurt, si dhe ka garantuar transparencë ndaj tij.

Sipas nenit 86 të Kushtetutës, që sqaron mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe kuorumin e nevojshëm, gjatë seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të jenë së paku dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, apo 80, nga 120 deputetë sa janë gjithsej.

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, prej dy të tretave të deputetëve, në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve, apo 61 prej tyre, zgjidhet President i Kosovës.

Ndërkohë, nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk arrin t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur President, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve./tvklan.al