Kosova votonKomisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë publikon edhe rezultatet paraprake të votimeve në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara sot në të gjithë vendin.

Teksa janë numëruar rreth 10% e votave, Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi kryeson me 32% të votave e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e Isa Mustafës me 26%.

Në vendin e tretë deri më tani renditet Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 9%. Pas saj renditet Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës e Ramush Haradinajt me 7%.

Po të njejtën mbështetje ka edhe Lista Srpska. Befasues mund të konsiderohet rezultati i Nismës për Kosovën e drejtuar nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi me 6%.

Ndërsa Aleanca Kosova e Re e biznesmenti Begjet Pacolli ndodhet në kuotat e saj më të ulta të regjistruara ndonjëherë, 3%. Me këtë rezultat, partia e Pacollit rrezikon të mbetet jashtë parlamentit, ku pragu i hyrjes është 5%.

Surprizë e këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet Nisma për Kosovën e themeluar nga ish-ministri i transporteve Fatmir Limaj dhe kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi, të larguar nga PDK e Hashim Thaçit.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare për këtë subjekt politik të krijuar vetëm pak muaj më parë dhe rezultati është befasues siç shprehet edhe antari i kësaj partie Bilal Sherifi.

Pas publikimit të rezultateve të para nga KQZ, nuk vonoi edhe reagimi nga Partia Demokratike e Kosovës, që nuk le kohë për të marrë trofeun e këtyre zgjedhjeve.

Pas përfundimit të numërimit, përqindjet do të përkthehen në vende në parlament, ku mes 120 ndenjëseve, 20 janë për partitë e minoriteteve. Në zgjedhjet e sotme morën pjesë 40.2% e votuesve nga rreth 1 milion e 700 mijë të regjistruar.

Gjatë procesit u vërejtën edhe disa parregullsi, siç ishte edhe futja në kuti në mënyrë të jashtëligjshme të fletëvotimeve.

Një rast i tillë u konstatua në Skënderaj, ku u arrestuan 4 komisionerë nga 8 në total që u vunë në pranga për të njëjtën çështje në të gjithë Kosovën.

 

TV KLAN