Kuvendi i Kosovës miratoi sot mocionin për rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe sipas Kushtetutës, vendi pritet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë mori 78 vota pro, 34 vota kundër dhe 3 abstenim.

42 deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosja, Nisma dhe disa deputetë të PDK kërkuan javën e kaluar shkarkimin e qeverisë, me motivacionin se rendi dhe ligji nuk funksionojnë dhe vendi po jeton një zhvillim të dobët ekonomik.

Gjithashtu, funksionimi i dobët i legjislacionit dhe ikja e shumë të rinjve nga Kosova janë vetëm disa nga arsyet që kanë renditur deputetët e opozitës.

Më herët në fjalën e tij para Kuvendit, Kryeministri Isa Mustafa e quajti të papranueshëm mocionin e mosbesimit. 

“Mocioni është një pamflet politik pa asnjë bazë”,

tha kreu i qeverisë. Sipas Mustafës, mocioni do të shkaktojë prishjen e stabilitetit në vend.

Nga mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, aleati kryesor në koalicionin qeverisës u vendos që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke bërë të qartë kështu edhe pozicionin e partisë përballë mocionit të mosbesimit. Sipas mediave të Kosovës, data më e mundshme për zgjedhjet e ardhshme është 11 Qershori.