Kosovë – Radio Televizioni i Kosovës u sulmua mbrëmjen e së hënës me granatë.

Këto foto të shfaqura në mediat kosovare, tregojnë pjesë të dëmtuara të godinës së RTK-së.

Sulmi u mor përsipër nga një grupim i ashtuquajtur “Rugovasit”, me anë të një e-maili të dërguar në disa redaksi lajmesh, vërtetësia e të cilit nuk është provuar.

Në deklaratën e tyre thuhet se e kryen aktin, pasi e akuzojnë RTK se është e rreshtuar përkrah qeverisë, duke transmetuar çdo ditë lajme pro demarkacionit.

Sulmi  me bombë ndaj Radio Televizionit Publik është dënuar ashpër nga qeveria e Kosovës, e cila e konsideron atë si “sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë”.

Në njoftimin për shtyp, qeveria u bën thirrje organeve hetimore kompetente të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë autorët dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar. Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që të mos etiketojnë, sulmojnë dhe linçojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lirë.

Tv Klan