Në Kosovë, prokuroria e posaçme ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës “

i pandehuri me gjashtë korrik të vitit 2014, me qëllim të bashkimit në organizatën terroriste ISIS, kishte shkuar në Turqi përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë – Stamboll. Ndërsa, më datë 11 apo 12 Korrik 2014, nën organizimin e disa shtetasve turq kishte kaluar në mënyrë ilegale kufirin Turqi – Siri, dhe është vendosur në një kamp ushtarak në qytetin Jarabulus – Aleppo të Sirisë, i udhëhequr nga grupi terrorist i quajtur “ISIS”, ku ka qëndruar rreth dy javë, dhe gjatë kësaj kohe kishte ndjekur ligjërata mbi Sheriatin dhe rregullat e ISIS-it, dhe më pas ishte dërguar në një kamp ushtarak në qytetin Rakka të Sirisë të udhëhequr po ashtu nga grupi terrorist “ISIS

”.

Në aktakuzë thuhet mes tjerash se i pandehuri që është identifikuar me inicialet L.R.”

më vonë ishte dërguar në qytetin Falluxha të Irakut, i kontrolluar po ashtu nga grupi terrorist “ISIS”, ku kishte kryer trajnimin ushtarak një ditor mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe më pas me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë mjekësore ushtarëve të plagosur ishte dërguar në një nga spitalet e këtij qyteti, dhe gjatë shërbimit të tij si pasojë e sulmeve ajrore mbi objektin e spitalit i njëjti kishte marr plagë të rënda trupore

“, raporton Zëri i Amerikës.

Që nga viti 2014, autoritetet në Kosovë kanë bërë përpjekje që nëpërmjet arrestimeve dhe ligjeve të ndalojnë shkuarjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste. Janë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza, ndërsa janë dënuar edhe imamë për rekrutimin e luftëtarëve. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës./tvklan.al